
Miratohet kontrata për Vertigo Free Zone, investimi 15.7 mln euro në Xhafzotaj
“Vertigo” sh.p.k merr miratimin nga Qeveria për të vijuar procedurat me krijimin e shoqërisë së administrimit për “Vertigo Free Zone – Durrës Industrial Park”.
Vendimi i publikuar në Fletoren Zyrtare, i jep të drejtën Ministrisë së Ekonomisë për të lidhur kontratën me “Vertigo” sh.p.k, në cilësinë e zhvilluesit për ndërtimin, administrimin dhe monitorimin e funksionimit të zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Xhafzotaj, Shijak.
Projekti kishte marrë më parë statusit e investitorit strategjik, procedurë e asistuar. Vlera e investimit do të jetë 1.57 miliardë lekë pa tvsh dhe pritet të punësojë në total 500 persona. Zona do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 135 mijë m2 dhe me kohëzgjatje veprimtarie 35 vjet, por jo më shumë se 99 vjet nga data e hyrjes në fuqi, e cila do të jetë data e nënshkrimit të kontratës nga palët. Kontrata e qirasë do të ketë vlerën simbolike 1 euro.
Draftkontrata parashikon detyrimin e zhvilluesit për marrjen e licencës dhe lejeve përkatëse. Palët marrin parasysh se afatet për përmbushjen e detyrimeve nuk mund të përcaktohen me saktësi, për shkak të mbivendosjeve të proceseve dhe mundësisë së vonesave të arsyeshme që nuk varen nga zhvilluesi. Në raste të tilla, afatet për ndërtimin dhe vetë kontrata zgjaten automatikisht për kohëzgjatjen e vonesës, me kusht që zhvilluesi të ketë bërë përpjekjet maksimale për të respektuar afatet.
Faza e ndërtimit konsiderohet e filluar vetëm pasi janë përmbushur të gjitha detyrimet e përcaktuara në kontratë.
Draftkontrata parashikon edhe rastet se kur konsiderohet i ndërprerë ndërtimi nga zhvilluesi dhe ato përfshijnë njoftimin e ndërprerjes prej tij, nuk rifillon punimet brenda 6 muajve pas një ngjarjeje force madhore; i ndërpret ato për një periudhë të pandërprerë prej 6 muajsh; si dhe tërheq të gjithë ose shumicën e personelit nga kantieri para përfundimit të punimeve, duke shkaktuar ndalim të plotë të tyre.
Nëse, përveç rasteve të parashikuara në kontratë, përfundimi i punimeve vonohet për faj të zhvilluesit ose ai dështon të përmbushë detyrimet kontraktuale, atëherë detyrohet të paguajë penalitet prej 0.01% të investimit të papërfunduar për çdo ditë vonesë, deri në 30 ditë. Totali i penaliteteve nuk mund të kalojë 1% të vlerës së kontratës. Këto penalitete nuk kufizojnë detyrimet e tjera të zhvilluesit dhe nuk pengojnë institucionin përgjegjës të përfitojë shumën e plotë të Sigurimit të Kontratës.
Kufiri maksimal i penaliteteve për vonesë në punësim
Nëse zhvilluesi nuk arrin të punësojë numrin e punonjësve të përcaktuar brenda afatit të përfundimit të punimeve dhe për faj të tij, ai do të paguajë penalitet prej 100 eurosh për çdo vend pune mesatar vjetor të pahapur. Pagesa e penalitetit duhet të kryhet brenda 30 ditëve nga njoftimi i institucionit përgjegjës.
Për garantimin e detyrimeve të tij, Zhvilluesi ka depozituar një garanci bankare në vlerën 15,692,532 lekë, e lëshuar nga një bankë e licencuar në Shqipëri, e cila përbën pjesë përbërëse të kontratës në aneksin “Sigurimi i kontratës”.
Sigurimi i Kontratës garanton që zhvilluesi do të përmbushë detyrimet e tij në mënyrë të plotë dhe në kohë gjatë realizimit të investimit. Gjatë zbatimit të kontratës, Zhvilluesi ka të drejtë të kërkojë uljen e vlerës së sigurimit, në përputhje me fazat e ndërtimit, por jo më pak se 25% e vlerës përkatëse. Institucioni përgjegjës duhet ta shqyrtojë dhe miratojë kërkesën brenda 30 ditëve; nëse nuk jep përgjigje brenda këtij afati, kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje.
Pas përfundimit të investimit, sigurimi i kontratës do të mbahet në nivelin 25% të vlerës përkatëse për gjithë kohëzgjatjen e kontratës.
Në rastet kur secila palë përfundon këtë kontratë pas fillimit të fazës së ndërtimit për ngjarje të forcës madhore të tejzgjatur institucioni përgjegjës duhet t’i paguajë zhvilluesit një shumë të barabartë me shpenzimet e investimit të kryer deri në datën e përfundimit. Në këtë rast institucioni përgjegjës do të çlirojë sigurimin e kontratës./ekofin.al
Më të lexuarat








